Angli, shqiptari garon në zgjedhje

31/03/2010 16:05

Partia Konservatore Britanike ka përzgjedhur për të kandiduar si anëtar i Këshillit Bashkiak për bashkinë e zonës Lewisham në Jug të Londrës, një shqiptar.

Ardian Preci do të garojë në zgjedhjet e ardhshme për të fituar një vënd si këshilltar në këtë bashki ku jeton një komunitet i madh emigrantësh shqiptarë. Ky është një zhvillim i  rëndësishëm dhe domethënës për komunitetin shqiptar në Londër, pasi Preci është një ndër të parët shqiptarë që nominohet nga Partia Konservatore.

Por si mundi i riu shqiptar të jetë pjesë konservatorëve britanik madje të përzgjidhet për kandidat në këshillin bashkiak?

 “Gjatë periudhës të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale në bashkinë e Lewisham-it Partia Konservatore, nëpërmjet një metode seleksionuese, rigoroze dhe duke pare kontributin, kualifikimet profesionale, integritetin tim dhe idete e mia politike , më ofruan të kandidoja për këshilltar, ofertë,  të cilën unë e pranova me  kënaqësi”, thotë Preci.

Aktivizmi i tij në kete parti u intensifikua sidomos gjatë fushatës së fundit elektorale që u zhvillua,  për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë së Londrës, ku Ardian Preci ndihmoi  në pjesën jugore të Londrës si pjestar i një fushate shumë dinamike.
Kjo fushate  rezultoi me sukses për konservatorët meqë kandidati i tyre Boris Johnson arriti të fitonte. Ardian Preci e shikon përfshirjen e tij në këtë garë elektorale  edhe si një shtysë  për shqiptarët e tjere këtu ne Britani, që te angazhohen në politikën e këtij vendi.

“Pse jo, në një të ardhme jo të largët komuniteti shqiptar të  ketë edhe përfaqesuesit e vet në majat më të larta te institucioneve britanike” deklaroi ai.

Top Channel