Meta në Kroaci merr garanci për vizat

30/03/2010 19:50

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kroaci.

Meta zhvilloi bisedime me homologun e tij Gordan Jandrokovic. Ata vlerësuan se marrëdhëniet mes të dy vendeve janë të shkëlqyera, veçanërisht dialogu politik në nivelet më të larta, si dhe rikonfirmuan vullnetin për thellimin e tyre në të ardhmen në të gjitha fushat.

Sic njofton ne faqen e saj Ministria e Jashtme, Meta u shpreh se ekzistenca e regjimit të vizave për shqiptarët që udhetojne drejt Kroacise dhe mungesa e fluturimeve direkt mes Tiranës dhe Zagrebit krijojnë vështirësi për nxitjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve. Në këtë kontekst, Meta u sigurua nga Ministri Jandrokovic se pala kroate do të angazhohet seriozisht për të gjetur një zgjidhje për të hequr regjimin e vizave me shqiptarët, duke konsideruar si shumë pozitiv progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave me BE.

“Ne hymë së bashku në NATO dhe do të donim që edhe ju shumë shpejt të mbyllni me sukses procesin e anëtarësimit në BE”, tha ministri kroat. Meta u prit edhe nga kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, e cila i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet politike mes të dy vendeve. Meta u takua edhe me kryetarin e Parlamentit si dhe me perfaqesues te komunitetit shqiptar atje.  

Top Channel