Zheji: Thirrjet raciste, cmenduri e Greqisë

29/03/2010 21:45

Analisti i njohur i shtypit shqiptar, Artur Zheji ka dënuar thirrjet racistë të marinës ushtarake greke ndaj shqiptarëve.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Zheji është shprehur se Greqia është një vend që ka dalë nga binarët për shkak të krizës ekonomike.

“Mund të konsiderohet një ngjarje episodike, por është fakti se një vend në krizë ekonomike sic është Greqia, shpërthen një cmënduri”, ka deklaruar Zheji.

Ndërkohë, duke folur për zgjedhjet në Itali, analisti ka vlerësuar rëndësinë e tyre për shqiptarët, ndërsa është shprehur kundër politikës së ndërtimit të centraleve bërthamore në Shqipëri, që u cek gjatë një vizite të kryeministrit Berlusconi në rajonin e Pulias, në vendin fqinj.

“Zgjedhjet kanë rëndësi sepse atje kemi shumë emigrantë. Sa për centralet bërthamore, unë jam kundër. Do të ishte më mirë energjia e pastër. Për më tepër, duke parë që një central do 10 vjet të ndërtohet, mendoj se Berlusconi nuk do të jetë edhe 10 vjet të tjera në pushtet”, ka pohuar Zheji.

Më tej Zheji ka bërë edhe një koment mbi ardhjen e Berlusconi-t në pushtet, duke nënvizuar se ai ka shfrytëzuar me shumë inteligjencë situatat politike.

“Berlusconi kur hyri në politikë ishte një biznesmen i madh. Craxi u largua nga politika nga Di Pietro. Berlusconi bëri një përllogaritje dhe tha atë vakum që lë Craxi do ta mbush unë. Përdorimi me mëncuri i televizioneve ishte një lëvizje gjeniale dhe u vendos stabilitet politik. Rasti i Berlusconi-t është rasti i një matematikani të thjeshtë që mund algjebrianët”, është shprehur Zheji.

Top Channel