Durrës-Kukës, shembje në rrugën e re

29/03/2010 09:55

Shembjet në segmentin Kukës-Morinë, pjesë e autostradës Durrës-Kukës vijojnë të jenë prenzente edhe pas gjashtë muajsh, kohë kur ndodhën dëmtimet e para.

Deri më tani as Drejtoria Rajonale e Rrugëve Kukës dhe as firmat private nuk kanë ndërhyrë për largimin e dherave dhe materialeve inerte në rrugë apo riparimin e pjesëve të cara të asfaltit dhe trasesë së rrugës si shkak i shembjeve.

Segmenti përgjatë gjatesisë së tij përmban shumë gurë dhe materiale inerte, cka përbën rrezik të lartë për lëvizjen e automjeteve me shpejtësi të madhe. Nderkohë, një problem tjetër është dhe dëmtimi i sinjalistikës horizontale. Pavarësisht kësaj gjendjeje, instancat nuk kanë ndërhyrë për zevendësimin e pjesëve të dëmtuara të sinjalistikës.

Sikur të mos mjaftonin këto probleme të autostradës së re, individë dhe banorë të fshatrave përreth autostradës, në mungesë të mbikalimeve të autostradës, me nisma private kanë hapur kalime të paligjshme në këtë segment.

Nga Kukësi deri në Morinë, me një gjatësi vetëm 18 km, në autostradë janë hapur mbi 35 kalime të paligjshme duke dëmtuar trasenë dhe bankinën e rrugës. Por këto kalime rrezikojnë seriozishtë jetët e udhëtarëve.
 

Top Channel