Të hetuarit e “Albpetrol”, akuza ndaj drejtuesve

28/03/2010 09:45

Një ditë pas publikimit të lajmit për nisjen e hetimeve ndaj pesë nëpunësve të qendrës së prodhimit të naftës Sheqishte, këta të fundit kanë hedhur akuza të forta ndaj drejtuesve të tyre.

“Nëse janë regjistruar abuzime me borderotë e pagave të punonjësve, autorë nuk jemi ne, por drejtuesit tanë, që ndodhen në drejtorinë e përgjithshme të ‘Albpetrolit’, deri te drejtori i ndërmarrjes sonë. Janë pozicionet më të larta se ne, ato që kanë përgjegjësi direkte. Ekonomistët dhe normistët janë të fundit që mbajnë përgjegjësi për emërime dhe shkarkime në punë”, deklaruan personat e marrë nën hetim, ndërsa kanë shkuar dje në mjediset e Komisariatit të Policisë së Fierit.

Më tej, ata i cilësuan hetimet si të padrejta dhe të pakuptimta. “Listëprezenca, borderotë apo emërimet në punë, nuk kalojnë prej zyrës sonë, por prej asaj të kuadrit në ndërmarrje apo dhe në drejtorinë e përgjithshme. Brigadieri i turnit 8-orarësh dhe shefi i sektorit janë ata që firmosin të parët. Ndërsa ekonomisti firmos fondin e pagave në tërësi”, ka shpjeguar Lefteri Goloshi, një prej të hetuarave.

Sipas saj, asnjë nga pesë të hetuarit nuk ka përgjegjësi direkte në firmosjen e pagave, pasi ata përfaqësojnë etapën e fundit “të procesit” të gjatë të abuzimit të konstatuar nga seksioni i krimit ekonomik, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit.

Zyrtarisht prej drejtorisë së qendrës së prodhimit të naftës Sheqishte, konfirmohet se personat e marrë nën hetim janë aktualisht në marrëdhënie pune. Ndërsa katër prej tyre punojnë në zyrën ekonomike të ndërmarrjes, njëri prej tyre, Lefteri Golloshi, është hequr nga puna pa motivacion, disa muaj më parë. Ndërkaq kreu i ndërmarrjes, Ylli Shanaj, i pyetur nga gazeta “Shqip” për nisjen e hetimeve ndaj vartësve të tij, u shpreh se: “Janë autoritetet e specializuara, që nuk varen fare nga ndërmarrja që drejtoj apo dhe nga sektori i naftës, ato që kanë nxjerrë përgjegjësitë e këtij hetimi”.

Shanaj nuk ka dashur të japë detaje lidhur me skandalin që ka përfshirë ndërmarrjen që drejton, por ka thënë se “është e pamundur që një drejtor të kontrollojë përditë frekuentimin e 800 punëtorëve që ka në varësi. Nuk e di në i kam vartës, por po e përsëris, nëse kanë kryer ndonjë abuzim, le të dënohen për atë që kanë bërë”.

Ndërkaq agjentë të seksionit të krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, si dhe autoritetet e hetimit pranë organit të Taks-Forcës në prokurorinë e rrethit, janë shprehur për gazetën “Shqip” se hetimet do të vijojnë deri në postet më të larta drejtuese të kompanisë “Albpetrol”, si dhe në ndërmarrje e sektorë të tjerë që varen prej saj.

Top Channel