Sigurimet, më pak kontrata në 2010-ën

28/03/2010 11:45

Tregu i sigurimeve pëson rritje në vlerë, por si numër kontratash të lidhura regjistron rënie të dukshme, gjatë dymujorit të parë 2010.

Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar – shkurt 2010 arritën rreth 1,380 milionë lekë, ose 10 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kurse numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 85,611 duke shënuar një ulje prej rreth 18 për qind, krahasuar me janar – shkurtin 2009.

“Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me rreth 9 për qind”, thekson AMF.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 59 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 41 për qind të totalit të tregut.

Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 569 milionë lekë, ose 17.44 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti Sigurim Kufitar gjatë 2 muajve të parë të vitit 2010 pati një rritje prej 39.17 për qind për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 33.18 për qind krahasuar me janar-shkurt 2009.

Pagesat e dëmeve gjatë muajve janar – shkurt 2010 u rritën me 32.40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas AMF-së, pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 282 milionë lekë, apo 89.76 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Top Channel