KLSH: Korrupsioni gllabëron pronat publike

28/03/2010 11:35

Krimi ekonomik dhe korrupsioni ka prekur thellë administratën publike, duke u shkaktuar taksapaguesve shqiptarë një dëm prej 7.3 miliardë lekësh.

Në ditën e dytë të publikimit të raportit vjetor 2009, gazeta vë në dukje gjykimet e KLSH-së sa i takon situatës me shkeljet gjatë vitit të kaluar, ku duhet thënë se shuma e abuzimeve ka pësuar rritje, prej rreth 4 miliardë lekësh.

Për herë të parë, KLSH përmend në raport termin “rrënjët e krimit ekonomik”, ndërsa thekson punën e vështirë të inspektorëve të saj në zbulimin e rasteve të rënda, me karakter të fortë korrupsioni. Qeveria “Berisha”, pavarësisht nismave antikorrupsion, nuk po ia del dot mbanë të reduktojë nivelin e abuzimeve, të cilat po rriten gradualisht çdo ditë. Në raport, KLSH ka përmendur edhe sektorët ku korrupsioni qëndron në nivele të larta. Qëndrimet e forta të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë paraqitur në pjesën ku flet për “bashkëpunimin me prokurorinë”, duke përmendur rastet e zyrtarëve që janë kallëzuar dhe postet që ata mbanin në administratë.

“KLSH ka mundur të zbulojë raste që mbartin elementë të krimit ekonomik dhe korrupsionit në administratën e pasurisë publike”, thuhet në raport, i cili do të diskutohet nesër paradite nga anëtarët e komisionit parlamentar të ekonomisë.

Rrezikshmëria

Në raport, KLSH përmend rëndësinë që mbart bashkëpunimi me organin e akuzës, pra prokurorinë, por nuk jep vlerësim se në çfarë niveli paraqitet “ky bashkëpunim”. Nëpërmjet aktivitetit kontrollues që kryhet në mënyrë të vazhdueshme për fondet dhe pronën publike, KLSH ka mundur të zbulojë raste që mbartin korrupsion.

“Nëpërmjet kryerjes së kontrolleve ekonomiko-financiare KLSH ka pasur mundësinë të shkojë deri në rrënjët e krimit ekonomik dhe korrupsionit, duke rekomanduar zgjidhjet më të mira organizative dhe ligjore, me qëllim kufizimin, apo mënjanimin e faktorëve që favorizojnë këto dukuri”, nënvizon raporti. Më tej, KLSH përmend fushat me “rrezikshmëri më të lartë për shfaqjen e krimit ekonomik: investimet publike, mbledhja e të ardhurave tatimore dhe doganore, privatizimet, koncesionet e deri tek investimet e huaja, tenderë”.

Zyrtarët

Gjithsej në prokurori gjatë vitit të kaluar janë kallëzuar 27 zyrtarë të administratës publike, kryesisht nga fusha e tatim-taksave. Dëmi që i është shkaktuar shtetit nga këta punonjës arrin deri në 2 miliardë lekë, ndërsa akuza që u është drejtuar shkelësve në tërësi lidhej me “shpërdorimin e detyrës, falsifikim të dokumenteve, vepra penale në fushën e tatimeve dhe favorizimin në tenderë”.

Në daljet e pakta publike të kreut të KLSH-së, Robert Çeku, është kuptuar qartë se bashkëpunimi me prokurorinë apo me gjykatat është në nivele jo të kënaqshme. Kujtojmë deklaratën e fundit në Kuvend, ku Çeku i cilësonte gjykatësit si “hiena”, pasi zvarrisnin me vite të tëra marrjen e një vendimi. Në total janë rreth 80 zyrtarë që kanë përfunduar në prokurori, por asnjëherë deri më sot nuk ka shkuar mbrapa hekurave.

Top Channel