Thirrjet antishqiptare, Pazios kërkon ndjesë

27/03/2010 12:45

Ambasadori grek ne Tiranë, Nikos Pazios i kërkon falje ministrit të Jashtëm shqiptar për aktin fyes të ushtarëve grekë.

Ambasadori theksoi se hetimi për këngët kundër shqiptarëve do të shkojë deri në fund, ndërsa autorët do të ndëshkohen.

Një ditë më parë, kryediplomati shqiptar insistoi në domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe theksoi se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata.

Meta shprehu indinjatën e thellë për ngjarjen e rëndë e cila vjen në kundërshti të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s.

Thirrjet antishqiptare, antiturke dhe antimaqedonase u rishfaqën gjatë parakalimit të forcave speciale detare greke, një ritual që mban të konservuar klishetë historike si armë e agresionit moral ndaj fqinjit, që me sa duket ende perceptohet si armik. “Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar”, që në greqisht thuhet “Elinas gjeniese, dhen gjinece pote, to ema su tha hisume, guruni Alvane”. Një tjetër thirrje ishte “U thonë shkupjanë, u thonë shqiptarë, rrobat e mia do të qep me lëkurën e tyre”.

Top Channel