Rama:Në parlament për transparencën e zgjedhjeve

27/03/2010 11:35

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama njoftoi 30 prillin, si ditën e protestës mbarëqytetare që do të zhvillohet në Tiranë. Në fjalimin e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama theksoi se opozita do të shkojë në parlament vetëm për transparencën e zgjedhjeve, ndërsa njëkohësisht do të jetë në ballë të protestave qytetare.

Rama theksoi se socialistët nuk do të heqin dorë në asnjë moment nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve, ndërsa theksoi gatishmërinë për kompromis mbi interesat, por jo mbi parimet.

“Kemi pranuar rezultatin dhe nuk kërkojmë ndryshimin e tij, kemi hyre ne kuvend me një ofertë serioze, me qellim zgjidhjen dhe në funksion të domosdoshmërisë për të normalizuar jetën e vendit dhe jemi te gatshem te bejme kompromis mbi interesat, por jo mbi parimet. Nuk mund të heqim dorë nga transparenca e zgjedhjeve, sepse do të hiqnim dore nga e drejta për t’i dhënë cdo njeriu garancinë në të drejtën e vet për të zgjedhur”, u shpreh Rama.

Kreu socialist theksoi ndër të tjera se refuzimi i pushtetit për të dialoguar për të gjetur një zgjidhje edhe pas ofertave të vazhdueshme tregon fare qartë se ku buron fuqia e këtij pushteti dhe pse ky pushtet nuk mund të heqë dorë nga kjo fuqi e manipulimit të zgjedhjeve.

“Sot është populli që paguan më shumë për të mbajtur qeverinë dhe e gjithë kjo e keqe e ka burimin te ato kuti të mbyllura. Frika e këtij pushteti për hapjen e kutive është frika për rënien nga piramida qeverisëse”, u shpreh Rama.

 

Top Channel