Gjykatat, presidenti Topi shmang partitë

27/03/2010 08:55

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk do të presë më kthimin e opozitës në Parlament, për të çuar për votim edhe 10 emrat e gjyqtarëve të rinj, të cilët do të plotësojnë vendet e mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

Kreu i shtetit duket se nuk ka preferuar as të zhvillojë konsultime me forcat politike. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur për “Shqip” se ndonëse prej kohësh mandati i dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë kishte mbaruar, Presidenti Topi ka nguruar për të çuar në Parlament emrat zëvendësues, nisur nga fakti se opozita kishte bojkotuar Parlamentin.

Pritja e Topit, e cila është përligjur me faktin se do të ishte e udhës që në sallën e Kuvendit këta emra të zgjidheshin me konsensus, nuk do të zgjasë më.

Burime nga Presidenca konfirmojnë nisur edhe nga fakti se në prill dhe në maj do të përfundojë mandati i dy anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë, brenda muajit prill 10 emrat e gjyqtarëve do të shkojnë në Parlament.

Top Channel