Presidenti i BE-së, vizitë në Ballkan

26/03/2010 19:55

Presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy do të vizitojë në maj të gjitha kryeqytetet e rajonit duke përfshirë dhe Tiranën zyrtare.

Turi i tij ballkanik merr shkas nga mospjesëmarrja në Konferencën e Berdos që u mbajt në Slloveni javën e kaluar.

“Unë do të zhvilloj një tur në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit, cfarë shpresoj të jetë gjatë muajit maj. Mirëpres cdo iniciativë për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe shpresoj që në konferencën e ardhshme të marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit. Por sic e thashë do të vizitoj 7 apo 8 kryeqytetet e rajonit, për t’u përcjell atyre mesazhin tim kryesor se të gjithë kanë perspektive europiane, herët ose vonë”, është shprehur Van Rompuy.

Këtë deklaratë presidenti i BE-së e dha gjatë konferencës përmbyllëse të samitit 2 ditorë të krerëve të shteteve dhe qeverive europiane.

Kriza e borxhit grek, ndikimi i saj në monedhën e përbashkët euro dhe frika e përhapjes së këtij problemi në qeveritë e tjera të Eurozonës me financa të trazuara si Portugalia dhe Spanja, bëri të mundur që samiti europian të miratonte një mekanizëm financiar që synon të ndalojë krizën në Greqi.

Deklarata e përbashkët përfundimtare e 27 shteteve anëtare përmend “qeverisjen ekonomike” të BE-së.

Bëhet fjalë për kalimin e disa kompetencave ndaj Këshillit Europian, duke i lejuar Brukselit të monitorojë më mirë ekonomi të tilla si Greqia dhe të ndërhyjë për t’i treguar secilit vend sesi të menaxhojë borxhet kombëtare.

Top Channel