PS në kuvend: Kërkojmë transparencën e zgjedhjeve

25/03/2010 17:45

Partia Socialiste është e vendosur që të qëndrojë në parlament për të kërkuar transparencën e procesit zgjedhor.

Deputeti socialist Namik Dokle u shpreh se nuk do të lejohet që parlamenti të kthehet në një farsë ku tjetërsohen nismat e opozitës, ndërsa theksoi se bashkë më popullin do të jenë në krye të protestave për të gjitha kutitë e mbyllura.

“Në parlament do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtën e transparencës së plotë”, u shpreh Dokle. Pas fjalës së tij deputetët opozitarë u larguan nga salla e kuvendit.

Më pas kryetari i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi ftoi edhe njëherë opozitën që të respektojë kushtetutën dhe rregullat e lojës demokratike.

“Fakti që keni ardhur sërish në parlament do të thotë që po dilni pak nga pak nga kutitë që ju ka mbyllur Edi Rama”, u shpreh Patozi.

Numri një i deputetëve demokratë u kërkoi opozitarëve që të heqin dorë nga ultimatumet dhe theksoi se përmes kërcënimit nuk mund të detyrojnë qeverinë që të shkelë ligjin.

“Jeni të lirë për të hyrë dhe për të dalë nga kuvendi sa here te doni, për të bërë protesta sa here te doni, por darët e ligjit do të veprojnë mbi cdo agresor që do të cënojë rendin kushtetues”, u shpreh Patozi.

Top Channel