Milo: Ndërkombëtarët ndërhynë vonë

25/03/2010 21:55

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo ka deklaruar se faktori ndërkombëtar ka ndërhyrë me vonesë për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Milo ka nënvizuar se ndërhyrja duhet të kishte ndodhur menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat sipas tij u vlerësuan në mënyrë të gabuar nga OSBE.

“Menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, këta ndërkombëtarë që sot japin rekomandime, heshtën. Unë problemin e shoh në radhë të parë tek vlerësimi i OSBE/ODIHR për zgjedhjet, që ishte i gabuar, që u certifikua dhe më pas të gjitha institucionet ndërkombëtare e morën si pikë referimi”, ka pohuar Milo, duke shtuar se ndërkombëtarët duhet ta bënin menjëherë pas zgjedhjeve atë që po bëjnë tani.

“Problemi i dytë është se ndërkombëtarët ndërhynë vonë në Shqipëri. Tani ata po bëjnë atë që duhet të kishin bërë që në fillim, të gjenin një zgjidhje politike të balancuar”, ka nënvizuar Milo.

Ai ka shtuar më tej se ky faktor duhet t’i kishte dëgjuar kohë më parë pretendimet e opozitës, në mënyrë që të mos ndodhej në dilemë.

“Ata nuk i dëgjonin pretendimet e opozitës, por vetëm deklaratat e mazhorancës. Tani ata nuk dinë c’të bëjnë për këtë krizë në të cilën ndodhet Shqipëria”, ka shtuar Milo.

Top Channel