Kuvendi miraton “varrezat greke”

25/03/2010 23:50

Parlamenti i Shqipërisë zgjodhi ditën e festës kombëtare të Greqisë për të miratuar marrëveshjen që zyrtarizon ngritjen e dy varrezave të ushtarëve grekë, të vrarë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke.(UPDATE)

Varrezat janë ndërtuar prej kohësh, fakt që nuk pengoi kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpetim Idrizi të bënte një paralelizëm të hidhur.

“Marrëveshja në fjalë është një vazhdim që i ngjan në fakt legalizimit të ndërtimeve pa leje. Varrezat e Këlcyrës ishin ngritur, ato thjesht po legalizohen sot”, tha në fjalën e tij kreu i PDU-së Shpëtim Idrizi.

Votën kundër marrëveshjes e deklaroi hapur edhe deputeti tjetër çam, Dashamir Tahiri. Thelbi i kundërshtimit, nuk qëndronte tek vetë marrëveshja, por tek ajo që dy deputetët çamë e cilësuan si mungesë dinjiteti të Shqipërisë në marrëdhëniet me Greqinë.

“Qeveria greke akoma nuk ka njohur genocidin biblik ndaj popullsisë së pafajshme çame në fshatin Vol. Në vitet ‘78-80 është ndërtuar një hotel dhe për të ndërtuar atë hotel ka shkulur varret me eskavator dhe i ka hedhur në det kockat”, tha deputeti tjetër çam Dashamir Tahiri.

“Pse shteti shqiptar nuk ka kërkuar ngritje varrezash për të gjithë ata shqiptarë çamë ose jo që janë vrarë në territorin grek prej njësive nacionaliste të Zervës? Kërkesë kjo e përsëritur e komunitetit çam. Pse mos ngrihet një kërkesë për ata fëmijë, gra e pleq që u masakruan çnjerëzisht?! Në mos një varrezë të paktën një obelisk në Paramithi që të kujtojë historinë e tyre tragjike?!”, tha më tej kryetari i PDU-së Idrizi.

Miratimi i marrëveshjes për varrezat greke u përdor si një rast nga zoti Idrizi për të bërë publike kërkesat e komunitetit çam.

“Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria shqiptare që t’i imponojë Greqisë, një shteti anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, pranimin publik të fajit për genocidin, restaurimin e së drejtës së pronësisë, dëmpërblim për familjarët e viktimave të pafajëshme të këtij genocidi, mundësi për anëtarët e komunitetit tonë për të vizituar tokat dhe varret e të parëve, ngritjen e lapidarëve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe heqje e momorialëve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë çame”, tha në apelin e tij Idrizi.

Megjithëse marrëveshja u miratua, surprizë ishte se me 2 votat kundër të deputetëve çamë Idrizi dhe Tahiri u bashkuan edhe katër deputetë të tjerë të mazhorancës.

Top Channel