Kriza, shtohen kreditë e këqija te bankat

25/03/2010 08:45

Portofoli i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar vijoi të rritej në janar, pas një ndalese të shkurtër në dhjetor, duke arritur nivelin më të lartë të dekadës së fundit në 11.6 për qind.

Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë.

Në dhjetor, kreditë e këqija qenë 10.5 për qind e totalit të portofolit.

Sistemi bankar shqiptar u rikapitalizua në vitet 2001-2002, kur kreditë e këqija të krijuara nga koha kur bankat qenë nën pronësi shtetërore, u nxorën nga bilancet e bankave, ndërsa humbjet u mbuluan me paratë e taksapaguesve.

Që nga ajo kohë, kreditë e këqija ishin shumë të ulëta, rreth 2-3 për qind e totalit të portofolit.

Në shtator 2008, kreditë e këqija qenë vetëm 4.1 për qind, por me fillimin e krizës, rritja e kredimarrësve jokorrektë mori ritme galopante.

Brenda më pak se 18 muajsh, kreditë e këqija u rritën me 2.5 herë, ndërkohë që portofoli i kredive u rrit me më pak se 10 për qind.

Sistemi bankar shqiptar menaxhon 455 miliardë lekë borxhe, (rreth 3.3 miliardë euro), dhe nga këto, rreth 52.6 miliardë lekë ose 378 milionë euro klasifikohen si kredi të këqija.

Kreditë e këqija nuk janë thjesht kredi të humbura, por paraqesin rastet kur kredimarrësit kanë falimentuar dhe bankat kanë filluar procedurat për nxjerrjen e pronave peng në shitje për të rikuperuar vlerat monetare të dhëna hua.

Top Channel