
Kredia në valutë ka qenë një shqetësim i përhershëm i Bankës së Shqipërisë për shkak të rreziqeve që sjell kursi i këmbimit.
Për të shmangur këtë kërcënim banka gjithmonë është munduar ta nxisë kredinë në lekë, një politikë që u duk sikur fuknsionoi vitin e kaluar, ku pesha e kredisë në lekë u rrit ndaj asaj në valutë.
Por të dhënat më të fundit tregojnë se kredia po orientohet sërish drejt valutës. Në janar kredia e dhënë në euro ishte 2.5 herë më e lartë se një vit më parë.
Ky rikthim i publikut tek kredia në valutë bëhet për shkak të leverdisshëmrisë së saj. Për një kredi me vlerë 30 mijë euro dhe afat 15 vjet, interesat që paguhen në euro janë 30 për qind më të ulëta se sa ato që do të duhet të paguheshin nëse e njëjta kredi, me të njëtën vlerë do të ishte marrë në lekë.
Të dhënat tregojnë se kredia në euro do të vazhdojë te jetë më e lirë se sa ajo në lekë, deri në pikën kur një euro do të këmbehet në treg me 166 lekë.
Vetë banka ka pak instrumenta në dorë për ta ndryshuar këtë situatë. Që interesat e kredisë në lekë të ulen duhet që qeveria të pakësojë kërkesën për borxh dhe banka të ulë normën bazë.
Të dyja ka pak gjasa të ndodhin. Qeveria është në nevojë për para dhe do të vazhdojë të marrë borxh. Nga ana tjetër, banka ka pak gjasa ta ulë normën bazë, për shkak se sot përqindja reale e interesit, diferenca mes normës bazë dhe inflacionit është në nivelin më të ulët historik, më pak se 1 për qind. Madje, tendenca është që norma bazë të rritet.
Top Channel