Kasat fiskale, ndryshon skema e instalimit

25/03/2010 09:30

Ndryshon tërësisht skema e vendosjes së kasave fiskale, përfshi dhe masat e sigurisë për ndërhyrjet në to.

Një vendim i marrë nga Ministria e Financave vë me shpatulla pas muri shoqëritë e autorizuara për vendosjen e kasave fiskale, të cilat kishin nisur të shisnin pajisje që nuk përputheshin me standardet e kërkuara.

VKM-ja përmban disa pika, ku më të rëndësishmet janë sektorët që nuk duhet të pajisen me kasa, afati i vendosjes së tyre, si edhe rishikimi i kontratave me shoqëritë aktuale të vendosjes së kasave fiskale.

Pas konstatimit në terren të shumë shkeljeve sa i takon pajisjes, mosrespektimit të afatit, e deri në shenja të sabotimit të të dhënave në memorien fiskale, ministria e pa të udhës të rishikonte të gjithë skemën, duke e përforcuar akoma e më tej kontrollim e implementimit të procesit.

Shumë biznese të ndryshme ankohen për mosrespektimin e afatit nga ana e shoqërive të vendosjes së kasave fiskale, edhe pse kontrata dhe paratë janë likuiduar me kohë.

Ndërsa vetë shoqëritë e justifikojnë vonesën me volumin e punës, si dhe me faktin që biznesi kujtohet për pajisjen në ditët e fundit të skadimit të afatit ligjor.

Megjithatë, për të vënë rregull në procesin e pajisjes së kasës, Ministria e Financave përcakton me vendim të qeverisë se pas nënshkrimit të kontratës mes biznesit dhe shoqërisë së autorizuar, kasa dhe sistemi fiskal duhet të vendoset në punë brenda 15 ditëve.

Ky afat sot shkon deri në një muaj, për shkak edhe të specifikave teknike, por edhe të kasës, që vjen e importuar nga jashtë. Tjetër kusht është kontrolli i pajisjes, që biznesi duhet ta bëjë detyrimisht një herë çdo 6 muaj.

Sa i takon memories fiskale që biznesi duhet ta ketë me shumë kujdes, funksioni i saj kryhet edhe në rastet kur mungon energjia elektrike, ndërsa informacioni i hedhur mbi të nuk mund të fshihet apo ndryshohet, por vetëm të shkruhet apo të lexohet.

Memoria fiskale duhet të memorizojë të dhënat e regjistruara për një periudhë minimale kohore 5-vjeçare, ndërsa kapaciteti i memories duhet të sigurojë minimalisht ruajtjen e 1800 raportimeve ditore fiskale.

Të tjera detaje nga VKM-ja lidhen me ngarkesën e memories fiskale, e cila nëse mbushet plot, nuk duhen të kryhen më veprime të xhiros së biznesit, por zëvendësohet në prani të shoqërisë së autorizuar.

Top Channel