Vizat, më 15 prill vlerësimi në Bruksel

24/03/2010 21:00

Komisioni Europian do të publikojë më 15 prill vlerësimet e ekspertëve mbi kriteret e përmbushura nga Shqipëria dhe Bosnja për cështjen e liberalizimit të vizave.

Ndersa propozimi ligjor për heqjen e vizave, sic rrëfeu një zyrtar i lartë i Komisionit për TCH, do t’i dërgohet Parlamentit në javën e fundit të muajit maj.

“Vlerësimi do të përmbledhë qëndrimin e ekspertëve europianë, si dhe qëndrimet e autoriteteve shqiptare e boshnjake”, tregoi zyrtari i Komisionit.

I njëjti burim rrëfeu se Ministria e Jashtme ka dërguar të hënën me shkrim vërejtjet e palës shqiptare lidhur me vlerësimin e eksperteve, duke ofruar shifra të reja.

Ndersa te martën në Bruksel për këtë cështje është zhvilluar një takim konfidencial me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha.

“Për ne shqetesuese paraqiten lëvizjet e stafit në polici, ku personat e trajnuar për një punë nuk bëjnë atë por dicka tjetër. Kjo është shumë e dëmshme për procesin. Po kështu, kërkuam nga autoritetet shqiptare që të bëjnë fushata sensibilizuese, e jo politike, per t’u treguar qytetarëve detyrimet e procesit të liberalizimit të vizave”, u shpreh zyrtari i Komisionit.

Sipas tij, fushata duhet t’u tregojë qytetarëve se nuk kanë të drejtë punësimi dhe azili, por vetëm të drejtë qëndrimi për turizëm më pak se 90 ditë në zonën Schengen.

Dy janë problemet për Shqipërinë, kriza dhe emigracioni shqiptar në BE 20 viteve të fundit, plus faktin që azilkërkuesit maqedonas e serbë kanë deklaruar se kanë kombësi shqiptare.

Të njëjtat burime thonë se Bosnja gëzon një besim më të lartë se Shqipëria edhe për përmbushjen e kritereve teknike, ndersa e shohin përfshirjen e Shqipërisë në një grup me Bosnjën si një avantazh për vendin tonë.

Por e kundërta është kërkuar nga kryeministri shqiptar në takimin dypalësh me homologun e tij slloven, në konferencën e Bërdos të shtunën e kaluar.

Burime pranë kabinetit të Borut Pahor rrëfyen për TCH se ishin shtangur kur Sali Berisha kishte insistuar që Shqipëria të mos vlerësohet në një grup me Bosnjen, edhe pse homologu slloven i ka përsëritur se kjo gjë është në të mirë të vendit.

Pavarësisht zërave për të ndarë dy vendet në këtë proces, zyrtari i lartë i Komisionit Europian tregoi se rekomandimi për Shqipërinë dhe Bosnjen pritet të jetë pozitiv, por njësoj si për Malin e Zi dhe Serbinë një vit më parë, kusht mbetet rishikimi në vjeshtë i përmbushjes së kritereve të paplotësuara ende.

Për këtë arsye parashikohet që në shtator një grup ekspertësh të vizitojnë sërish dy vendet e rajonit. Deri atëherë, rekomandimi për heqjen e regjimit të vizave pritet të ketë marrë dhe pëlqimin e Parlamentit Europian, përpara se t’i kalojë për votën përfundimtare në tetor Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së.

Top Channel