“Skënderbej”, Lame: Pengesë e pakapërcyeshme

24/03/2010 20:00

Sheshi “Skënderbej” është kthyer në kalin e betejës së re mes qeverisë dhe pushtetit lokal në Tiranë, kryeministrit Berisha dhe kreut të bashkisë, Edi Rama.

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri urdhëroi asfaltimin e sheshit në qendër.

Ndërsa bashkia lajmëroi fillimin e punimeve dhe akuzoi qeverinë se ka penguar deri tani projektin për rikonstruksionin e sheshit.

Por sipas publicistit Artan Lame “qeveria po bën gjënë e duhur në momentin e gabuar, sepse sheshi nuk mund të qëndrojë kështu, por po bëhet kur bashkia filloi punën për ta rregulluar sheshin. Gjithashtu edhe bashkia po bën gjënë e gabuar në momentin e duhur, pasi nuk ka mbaruar ende mbyllja e unazës”.

Sipas tij, “kjo është një pengesë e pakapërcyeshme përderisa palët po tentojnë të bllokojnë njëra-tjetrën”.

“Qeveria duhet të bëjë shpronësimin e pronave të ligjshme të qytetarëve shqiptarë, pas kësaj bashkia duhet të bëjë procedurën për mbylljen e unazës dhe duke u marrë vesh të dyja palët të fillojë procedura. Nëse palët nuk merren vesh, ata që do vuajnë jemi ne, qytetarët e thjeshtë”, theksoi Lame, në Top Channel.

Top Channel