Sandër Prosi, “Nderi i kombit”

24/03/2010 20:25

Roli i Ismail Qemalit tek filmi “Nëntori i dytë” dhe shumë e shumë role të tjerë të interpretuar nga Sandër Prosi, kanë bërë që ky aktor edhe pse i ndarë nga jeta vite më parë, të mbetet në kujtesë brez pas brezi.

Presidenti i Republikës Bamir Topi, i akordoi “Artistit të Popullit” urdhërin e lartë “Nder i kombit”, në prani të familjarëve të tij dhe kolegëve.

“Njerëzit e mëdhenj si Sandër Prosi janë shenjtorët laikë të kohës sonë! Secili prej nesh duke ardhur në këtë sallë, në vetvete do të ketë menduar se nuk jemi ne që po nderojmë Sandër Prosin, por është pikërisht ai që na nderon ne me veprën dhe sidomos me profilin e tij njerëzor”, wshtw shprehur presidenti i Republikës.

Disa nga kolegët më të afërt të Sandër Prosit rrëfyen kujtimet e kohës kur punuan me artistin e madh.

“Sandri ishte një aktor me përmasa dhe kishte një mënyrë të vecantë të të punuarit”, shprehet regjisori Vladimir Prifti.

“Është një fenomen në aktrimin shqiptar. Është një nder i madh për kombin tonë”, shton aktori Gulielm Radoja.

Sandwr Prosi u lind në janar të 1920-ës në Shkodër. Ai ka interpretuar me shumë se 100 role në teatër e kinema. Në teatër roli i parë ka qënë në dramën Vilhelm Tel, mw pas ka interpretuar Otellon, apo Horatin tek Hamleti.

Ndër filmat renditen “Udha e shkronjave”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”, “Njeriu me top”, “Debatik”, “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Këneta”, e shumë të tjerë.

Ndarja e tij nga jeta në 1985-ën, u mbulua nga misteri, pas hipotezave të vdekjes për shkaqe natyrale, apo një vetëvrasjeje.

Ndonëse tashmë kanë kaluar 25 vjet, Sandër Prosi mbetet ndër aktorët më të dashur, një nga emrat më në zë të kinemasë dhe teatrit shqiptar dhe tashmë “Nder i kombit”.

Top Channel