
Problemi më i madh për ekspertët e financave publike në Shqipëri është viti 2012.
Sipas një dokumenti zyrtar të miratuar nga Këshilli i Ministrave, qeveria shqiptare do të detyrohet rreth majit 2012 të shlyejë përveç interesave të borxhit ekzistues, edhe principalin e një kredie me vlerë 200 milionë euro që tërhoqi në kulmin e krizës, në vitin 2009.
Në total, qeverisë do t’i duhet të shlyejë 900 milionë dollarë interesa dhe principal për borxhin publik, shifër kjo që konsiderohet e papërballueshme për buxhetin e shtetit, i cili ka të ardhura vjetore prej rreth 3 miliardë dollarësh. Borxhi publik shqiptar u rrit me më shumë se gjysmë miliardi euro vitin e kaluar dhe aktualisht është sa 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një nga problemet është se të ardhurat e qeverisë janë në lekë, ndërsa gjysma e borxhit është në valutë të huaj. Për rrjedhojë, një zhvlerësim i lekut mund të dërrmojë financat publike.
Plani i qeverisë është që të fitojë kohë, duke marrë një kredi të re këtë vit për të shlyer atë të vjetrën. Në këtë mënyrë, mund të shmanget mbingarkesa me detyrime e vitit 2012. Por ky është një skenar i pasigurt, pasi qeveria mund të mos gjejë borxhdhënës të rinj. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë i ka këshilluar qeverisë të hartojë një plan rezervë.
Në rast se qeveria nuk e zgjidh dot këtë problem, ekziston rreziku që Shqipëria t’i drejtohet për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në të gjitha rastet, pasojat janë shumë negative, pasi investitorët mund të humbasin besimin te Shqipëria e për rrjedhojë, vendi do të zhvillohet shumë më ngadalë nga potenciali i vet.
Shqipëria ra në pamundësi për të shlyer borxhin e jashtëm për herë të parë dhe të fundit në vitin 1990, kur u rrënua sistemi i ekonomisë socialiste. Pas kësaj u deshën 15 vjet që ekonomia kombëtare të stabilizohej. Një krizë në financat publike si ajo që po projektohet për vitin 2012, mund të krijojë të njëjtat vuajtje që shqiptarët pësuan në vitet ‘90.
Top Channel