Biznesi i Tiranës, në krizë: 38% me humbje

24/03/2010 08:00

Bizneset që e zhvillojnë aktivitetin privat në Tiranë deklarojnë rënie aktivitetit, humbje të xhiros dhe rrezik falimenti.

Kriza ekonomike e vitit 2009 është reflektuar në aktivitetin e sektorit privat, që shtrihet gjerësisht në metropolin shqiptar, ku dhe numri i bizneseve është tepër i madh. Shifrat e fundit tregojnë se shumë biznese, kryesisht të vogla, gjenden në vështirësi serioze, jo vetëm si pasojë e krizës ekonomike, por edhe të politikave aspak favorizuese të qeverisë.

Drejtorja e Taksave në Bashkinë e Tiranës, Belinda Baluku, vë në dukje faktin se nga deklaratat e deritanishme tatimore, gati 38 për qind e bizneseve raportojnë humbje të aktivitetit. E gjendur në një tryezë me bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), Baluku theksoi se, “se rreth 38 për qind e bizneseve që kanë dorëzuar vetë deklarimin e të ardhurave për 2009 kanë dorëzuar të ardhura më të ulëta se 2008 dhe kjo është një sinjal negative për planin buxhetor të Bashkisë së Tiranës”.

Shumë biznese u ankuan për mungesën e informacionit në marrjen e vendimeve për politikat fiskale, kurse nga ana e bashkisë u premtua se do të përmirësohet niveli i transparencës.

Deklarimi me humbje i bilancit e fut Bashkinë e Tiranës në një situatë komplekse në hartimin dhe parashikimin e buxhetit dhe politikës fiskale. Futja e bizneseve të vogla me prag xhiro 5 milionë lekë, me TVSH, e vështirëson mirëmenaxhimin e të ardhurave të kësaj kategorie.

Për shkak të ndryshimit të nivelit të TVSH-së ka pasur në fillim të këtij viti, një numër të madh biznesesh që kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë rihapur një aktivitet tjetër vetëm për t’i shpëtuar pragut të TVSH-së. “Kjo situatë shkakton kaos për të dy palët, bizneset dhe ne”, u shpreh Ikonomi. Pjesë të konsiderueshme në debat zuri edhe ndryshimi i fundit në procedurat e hartimit të bilancit. Udhëzimi i dalë më 9 mars, rreth 20 ditë para skadimit të afatit për dorëzimin e bilancit ka çorientuar totalisht bizneset, jo vetëm për kohën e pamjaftueshme në dispozicion, por edhe të kostove shtesë që kërkon ekonomisti etj.

“Problemi themelor që sot po has biznesi i vogël është çështja e plotësimit të vetëdeklarimit të të ardhurave. Procesi i vetëdeklarimit të xhiros filloi më 9 mars dhe mbyllet më 31 mars pra pas një jave. Vetëm kaq kohë ka biznesi i vogël të plotësojë një formular të komplikuar për ta dorëzuar pranë Bashkisë së Tiranës apo bashkive në rrethe.

Ndërkohë që është e specifikuar në ligj që biznesi i vogël duhet të ketë të punësuar part-time një ekonomist dhe në fund një ekspert kontabël për të mbyllur bilancin”, u ankua një përfaqësues i biznesit të vogël. Në rang vendi janë rreth 50 mijë biznese të vogla, ku gati 12 mijë biznese janë në Tiranë. Sipas Belinda Ikonomit ka një konfuzion të jashtëzakonshëm jo vetëm te bizneset e vogla, por dhe tek administrata tatimore e pushtetit lokal. Sipas procedurave tatimore, biznesi i vogël gjobitet me 10 mijë lekë në rast se nuk e dorëzon në kohë bilancin, kurse biznesi i madh ndëshkohet me 40 mijë lekë.

Në debat u diskutua edhe niveli i taksave dhe tarifave që aplikojnë njësitë vendore, rasti konkret Bashkia e Tiranës. Drejtuesit e bashkisë pranuan nivelin në rritje të detyrimeve tatimore, si masë për mirëmenaxhimin e buxhetit, por nga ana tjetër shtuan se do të rishikojnë tarifën për gjelbërimin.

Duke u ndalur konkretisht te taksat që paguan një biznes për reklamën, u tha hapur se pjesa dërrmuese e kompanive që menaxhojnë publicitetin përmes tabelave, janë vënë në vështirësi dhe janë gati të mbyllin aktivitetin. Aktualisht bizneset duhet të paguajnë 1 mijë lek për metër katror për çdo reklamë që vendosin në rrugë. Kjo ka bërë që një numër i madh kompanisë që merreshin me biznesin e reklamave dhe billbordeve në rrugë nacionale dhe qytetet e mëdha, të tërhiqen nga ky biznes. Ka mjaft kosto dhe kjo ka reflektuar dhe në të ardhurat e bashkisë, pasi një pjesë e mirë e billbordeve në rrugët nacionale apo autostradë janë bosh, pikërisht për shkak të kostos së lartë.

Top Channel