Bizneset, të zhytur në borxhe

24/03/2010 20:35

Drejtoresha e Fondit Europian për Europën juglindore, një organizatë e specializuar financiare, thotë se në Shqipëri po vihet re një përqendrim i borxhit në disa grupe të caktuara biznesesh, të cilat janë vënë në vështirësi financiare.

“Ajo cka ne kemi vënë re në Shqipëri është se një numer i madh kompanish kanë marrë hua duke u nxitur nga pritshmëritë që kishin për një rritje ekonomike të lartë. Megjithatë, situata ekonomike nuk rezultoi të ishte aq pozitive, kështu që shumë nga ky borxh nuk u vu në përdorim aktiv. Po kështu, një fenomen tjetër që vihet re është se shumë nga këto kompani tashmë po marrin borxh për të paguar borxhin e vjetër. Këta dy faktorë të kombinuar sjellin një përqendrim të borxhit në sektorë të caktuar të ekonomisë”, deklaron Sylvia Wisniwski.

E mbërritur në Tiranë me ftesë të Bankës së Shqipërisë, Wisniwski thotë në një intervistë për Top Channel, se kjo situatë nuk duhet të neglizhohet nga autoritetet për të shmangur rreziqe më të mëdha.

“Rreziqet në këtë rast janë që shohim një kolaps të mundshëm të portofoleve të caktuara të kredisë dhe me qellim që kjo të evitohet duhet që të krijohet një infrastukturë e mirë dhe e kuptueshme dhe madje të ndihmohen kompanitë që ta kalojnë këtë situatë. Nga ana tjetër edhe bankat do të duhet të përballen me këtë ngërc dhe do mund të detyrohen të mbajnë fonde rezervë të larta si garanci, c’ka do ndikojë tek fitimet e tyre në fund të fundit”, ka shtuar Wisniwski.

Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit të shtetit, gjatë vitit 2009 fitimet e biznesit në Shqipëri ranë në terma realë me 7 përqind krahasuar me një vit më parë.

Top Channel