Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar rrugën “Abdi Toptani”, e cila do te lehtësojë qarkullimin tranzitor, deri në përfundimin e rrjeteve kryesore.
Sipas kryetarit të bashkisë Edi Rama, rikonstruksioni i këtij aksi është i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me lehtësimin e qarkullimit, për të mundësuar kështu fillimin e punimeve në sheshin “Skenderbej” së shpejti.
“Sheshi ‘Skënderbej’ prej kohësh është i projektuar dhe i financuar, por është edhe i bllokuar për shkak të veshit të shurdhër të Qeverisë dhe moszbatimit nga ana e saj të detyrimit për të bërë një shpronësim që do të hapte aksin e Unazës së Vogël, duke mos lejuar që sheshi të degradohet deri në pikën ku është degraduar, duke u bërë shqetësim për të gjithë. Megjithatë, pavarësisht kësaj pengese të mosarsyes, ne do të vazhdojmë punën dhe së shpejti do të fillojmë punën në shesh, falë këtyre akseve qe po përgatisim për të perballuar fluksin e trafikut, që duhet devijuar nga sheshi”, u shpreh Rama.
Për të njëjtin qëllim po punohet edhe për rikonstruksionin e rrugëve “Bardhok Biba”, “Urani Pano” dhe ate pas Pallatit të Kulturës.
Top Channel