Nisin hetimet për vizat

23/03/2010 12:10

Policia e Korcës ka nisur nje hetim ne lidhje me skandalin e vizave me pagese që premtoheshin nga drejtuesit lokalë të organizatës së minoritetit grek, Omonia.

Pak orë pas padive edhe prokuroria ka marrë në dorë materialet dhe një hetim do nisë edhe nga organi i akuzës. Ndërkohë mëngjesin e së martës në dyert e Omonia-s në Korcë janë dyndur disa dhjetëra qytetarë të ndryshem të cilët kanë kerkuar t’ju kthehen paratë për dokumentat e premtuara.

Një ditë më parë në zyrat lokale të Omonia-s ndodhi një përplasje fizike e cila erdhi pas kërkesës së konsullit grek të Korces për të shkarkuar kryetarin e Omonia-s.

Konsulli në një intervistë dhënë për Top Channel akuzoi se drejtuesit lokalë kanë tentuar të sigurojnë viza për njerëz të kërkuar nga Interpoli, paraqesin dokumenta falso apo kane marrë para për sherbime të ndryshme. Akuzat konsulli i ka paraqitur edhe në një letër drejtuar Omonia-s ku kërkonte shkarkimin e drejtuesve lokalë.

Top Channel