Lazarat, sekuestrohen 130 kg hashash

23/03/2010 09:20

Rreth 130 kilogram hashash janë kapur nga policia në një automjet që sapo dilte nga fshati Lazarat në Gjirokastër.

Rreth ores 1:00 të mëngjesit të sotëm policia kishte vendosur një postobllok në vendin e quajtur ‘Kordhoce’ pasi kishte informacione për drogën që do të kalonte.

Por drejtuesi i automjetit  porsa ka parë se rruga ishte e bllokuar nga policia është kthyer me shpejtësi për në drejtim të fshatit Lazarat. Specialistët dhe Agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar janë vënë në ndjekje të këtij automjeti , ku në hyrje të fshatit Lazarat, automjeti me targa fallco,  i cili ishte i ngarkuar me lëndë narkotike është përplasur me murin rrethues të një banese dhe drejtuesi i automjetit ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet në mes banesave të këtij fshati.

Në brendësi të mjetit në bagazh dhe në sediljen e pasme të cilën e kishte te hequr kishte lëndë narkotike të paketuar në qese me peshë të ndryshme, gjithsej rreth 130 kilogramë. Policia identifikoi transportuesin dhe e shpalli ate ne kerkim.

Top Channel