Kriza greke, Bode: Sistemi financiar nuk është i izoluar

23/03/2010 15:10

Ministri i financave Ridvan Bode deklaroi për herë të parë në publik se situata e vështirë financiare që po kalojnë disa vende të rajonit përbën një shqetësim edhe për Shqipërinë

“Edhe pse sistemi ynë bankar ishte likuid, edhe pse mbikqyrja ishte eficente, ne nuk mund të themi se një vijim i  problemeve të sistemit financiar të bankave të rajonit, të bankave që kanë bijat e tyre në Shqipëri, do të mund të kursejë një vend, sado i izoluar apo sado avantazhe që mund të ketë në një fazë fillestare. Sistemi financiar edhe në rajonin tonë, edhe me gjërë nuk është një sistem i izoluar që operon me tregje dhe rregulla të ndara, aq më tepër që në Shqipëri pjesa dërrmuese e bankave zotërohen nga investitorë të huaj”, deklaroi ministri Bode.

Por guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani evidentoi një tjetër fushë me rrezik, ku operojnë shoqëritë e kursim-kreditit.

“Konstatoj se, reklamat e financës për zhvillim, mikrokredisë mund t’i hasësh vetëm në gurët e kilometrazhit, apo në grafikët amatoreskë që pllakosin bordurat e rrugëve nacionale, urave e më tej. Një pjesë dërrmuese e këtij formacioni është emri i mirë i këtij institucioni. Këto institucione duhet të ndërtojnë një strategji të qartë komunikimi me publikun për produktet që ofrojnë, kushtet financiare me të cilat ofrojnë këto produkte, dhe vecanërisht avantazhet konkuruese të tyre ndaj bankave universale”, tha guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani.

Por sipas guvernatorit sistemi bankar shqiptar e përballoi mjaft mirë krizën financiare dhe vazhdon të mbetet likuid dhe i mbikqyrur rreptë nga Banka e Shqipërisë.

Top Channel