Gjiknuri: Komisioni hetimor duhet të ribëhet

23/03/2010 08:15

Hedhja poshtë e opsioneve juridike të opozitës socialiste lidhur me hetimin parlamentar ka ngritur që ditët e para pas seancës së 18 marsit pikëpyetje mbi legjitimitetin e komisionit hetimor, por edhe mbi integritetin e punës së tij.

Jo vetëm pse kërkesat e PS, si nismëtare e krijimit të tij, nuk janë përfshirë në objektin e punës së këtij organi, por edhe pasi funksionimi vetëm me një palë mund të shërbejë për të instrumentalizuar edhe më tej betejën politike që lidhet me manipulimet e mundshme në zgjedhjet e 28 qershorit.

Duke u nisur nga kjo situatë e pazakontë, në këndvështrimin juridik, normaliteti duket se mund të kthehet vetëm përmes një rishikimi të vendimeve të Parlamentit dhe një përfshirjeje të kërkesave të PS në objektin e tij.

Të paktën ky është mendimi i deputetit socialist, Damian Gjiknuri, i cili edhe në cilësinë e juristit ka deklaruar për “Shqip”, se rruga juridike mund të aktualizohet vetëm nëse pretendimet e PS merren seriozisht në konsideratë.

“Duhet ribërë komisioni hetimor, duke marrë për bazë objektin hetimor të propozuar nga PS. Brenda kësaj logjike mund të shihen edhe mundësitë për kompromis”, u shpreh ai.

Koherenca e një gjykimi të këtillë me vendimet e fundit politike të Partisë Socialiste thekson edhe një herë se interpretimet e diktuara me forcën e kartonit nuk ofrojnë asnjë zgjidhje reale; të para me syrin e profesionistit, por edhe nga këndvështrimi politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA