Omonia, sherr për vizat

22/03/2010 19:50

Akuzat për shitje të dokumentave që lidhen me vizat greke nga ana e drejtuesve te organizatës Omonia në Korcë kanë cuar në një përleshje fizike mes dy grupimeve kundërshtare.

Paraditen e së hënës në zyrat e Omonias mbërriti policia që shoqëroi disa persona. Ata po perplaseshin fizikisht mes tyre, ndërsa u tentua që të merreshin materialet e zyrës. Debati nisi pas nje letere të dërguar në organizatë nga konsulli grek i Korçës.

“Prej 6 muajsh kërkon viza dhe kërkon t’ë kalojë njerëz me dokumenta falso. Unë nuk dua t’i kaloj ata që kërkohen nga Interpoli. Ka ardhur momenti që ai të japë llogari për veprimet e tij. Lici të largohet dhe t’ia lere vendin njerëzve të ndershëm”, ka deklaruar konsulli grek Theodhoros Ikonomu.

I akuzuari është kryetari i degës lokale të Omonias, Spiro Lici, i cili ka bërë edhe një padi në polici. “Kemi marrë një shkresë si kryesi nga konsulli, i cili brenda shkresës thotë se ne jemi të pushuar nga ai”, ka pohuar Lici.

Pala tjetër në këtë përplasje konfirmon akuzat e ngritura nga ana e konsullit grek. “Ka pasur protesta nga ana e qytetarëve që thonë se kanë paguar lekë. Ka marrë qindra euro për të dhënë vizë”, ka nënvizuar Naum Disho.

Policia ndërkohë, pas denoncimeve të bëra ka bllokuar gjithë dokumentacionin e degës lokale të Omonias në Korcë.

Top Channel