Meta kundër Bosch

22/03/2010 14:50

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta nuk duket se e ka pritur mirë reagimin e ambasadorit te OSBE-së Robert Bosch, i cili u shpreh i zhgënjyer që palët nuk arritën një zgjidhje të premten në Parlament.

Përgjigjia e zotit Meta, kur u pyet nga gazetarët për ambasadorin e OSBE-së ishte kjo:

“Nuk jam në dijeni se cfarë ka thënë zoti Bosch. Unë jam në dijeni të të gjitha qëndrimeve konstruktive nga ana e mazhorancës, në dijeni të të cilave eshte zoti Bosch dhe cilido tjetër. Që ka të bëjë me faktin se mazhoranca ka pranuar, prej kohesh, t’i japë opozitës shumicën dhe drejtimin e komisionit, madje, mazhoranca ka pranuar që t’i drejtohet Komisionit te Venecias, ashtu sikurse ju e dini, që këto nuk janë pranuar nga pala gjoja e intersuar për hapjen e kutive”, ka deklaruar Meta.

Në bashkëbisedimin me gazetaret, zoti Meta u tregua i ashpër me refuzimin e opozitës për njohjen e komisionit hetimor, i cili nuk lë hapësira për hapjen e kutive.

“E gjithë kjo politikë destruktive synon të dëmtoje sa më shumë imazhin e vendit. Nuk synon hapjen e kutive. Është bërë e qartë që mund të ndiqet rruga e prokurorisë. Nëse duan të hapin kutitë, mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ose Komisionit te Venecias”, ka nënvizuar Meta.

Përsa i perkët protestave të paralajmëruara të opozitës, që synojnë rrëzimin e qeverisë, zëvendëskryeministri u tregua edhe më i ashpër.

“Nëse mendojnë se do të marrin me dhunë pushtetin, sikurse kanë bërë thirrje, kjo është cështja e tyre. Ata kanë të drejtën e tyre të ëndërrojnë, por, natyrisht, do të marrin përgjegjësitë e tyre. Cdo përpjekje për të krijuar shqetësime të paqëna, të jeni të sigurt se do të ndeshkohet, në rradhë të parë nga qytetarët shqiptarë, që janë lodhur me rremujë e me trazira, vecanërisht kur bëhet fjalë për karrierën e një individi, i cili nuk njeh asnjë insitucion”, ka theksuar Meta.

Zoti Meta i bëri këto komente pas kthimit nga Uashingtoni, duke konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve.

Pavarësisht kritikave per ligjin e shërbimeve sekrete, numri dy i qeverisë tha se cdo përmirësim do të bëhet sipas standarteve të NATO-s.

Top Channel