Partia Socialiste e ka vlerësuar me nota negative ofertën e kryeministrit Berisha për hetimin e zgjedhjeve nga një grup prej 100 prokurorësh.
Në një deklaratë për mediat, deputetja e PS, Shegush Ligori ka deklaruar se propozimi i kryeministrit është njësoj si një i pandehur që heton vetëveten.
“Komisioni parlamentar i miratuar në Kuvendin e Ruzhdies nuk mund të bëjë transparencë njësoj si hajduti nuk mund të hetojë vetveten. E drejta e Partisë Socialiste për transparencë është një e drejtë kushtetuese, të cilën as Sali Berisha, as Ilir Meta e askush tjetër nuk mund ta tjetërsojë. Përpara të drejtës sonë ligjore dhe kushtetuese, Partia Socialiste dhe mbarë populli opozitar nuk do të ndalet, por do të shfrytëzojë cdo rrugë demokratike për të cuar deri në fund kauzën për demokraci dhe standarde”, ka deklaruar Ligori.
Nga ana tjetër nuk ka munguar reagimi i PD, e cila ka deklaruar se kryetari i PS Edi Rama ka frikë nga hapja e kutive nga dora e prokurorëve.
Zëdhënësja Erla Mëhilli është shprehur se PS nuk ka në dispozicion asnjë provë që të vërtetojë pretendimet e saj për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit.
“Edvin Kristaq Kriza, apo kryetar 2K, sërish i tmerruar nga transparenca e hapjes së kutive, pas ofertës së shumicës për hetim të cdo gjëje me ndihmën e 100 prokurorve, e hodhi poshtë këtë ofertë. Dhe kjo vetëm se nuk disponon qoftë dhe një provë apo fakt të vetëm për të vërtetuar pretendimet e tij. Partia Demokratike informon qytetarët shqiptarë se nuk është transparenca ajo që kërkon zoti Rama, por vazhdimi i këtij seriali trillimesh dhe mashtrimesh për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, ku sigurisht e pret një disfatë e plotë”, ka pohuar Mëhilli.
Top Channel