Korcë, sherr në zyrat e Omonia-s

22/03/2010 12:00

Një sherr në zyrat e Omonia-s në Korcë ka cuar në shoqërimin nga ana e policisë të përfaqësuesve të kësaj organizate.

Sherri është zhvilluar në ambientet e brendshme të zyrës ku mësohet se ka patur dhunë fizike dhe shkëmbime grushtash mes dy grupimeve që janë përcarë për shkak të kryesisë së Omonia-s.

Burime nga Omonia në Korcë deklarojnë se përplasja ka nisur për shkak të organizimit të një grupi përfaqësuesish për të shkarkuar kryetarin Spiro Lici.

Ky i fundit ka marrë vulat, dokumentat dhe pajisjet e zyrës pasi ka mësuar se do të hiqej para zgjedhjeve. Sipas të dhënave nga Omonia sherri ka ndodhur ndërkohë që në orën 16.00 të ditës së sotme ishte caktuar të diskutohej në një mbledhje shkarkimi i Spiro Licit dhe zëvendesimi i tij me një tjetër kryetar të përkohshëm, Naum Dishon deri në organizimin e zgjedhjeve të reja.

Kjo situatë me levizjen e kryetarit ka cuar deri në grushta mes dy grupeve të krijuara brenda Omonia-s. Policia ka shoqëruar disa nga personat që janë bërë pjesë e këtij sherri për të dhënë sqarimet përkatëse.

Top Channel