Fier, projekt për mullinj me erë

22/03/2010 08:05

Pak ditë pas deklaratës së Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, lidhur me interesin e Italisë për investime në energji, në Qarkun e Fierit, është shfaqur një projekt ambicioz me objekt prodhimin e energjisë.

Bëhet fjalë për firmën “Reuint”, me qendër në Firence të Italisë, e cila mendon të ndërtojë impiante për prodhimin e energjisë me anën e erës.

Projekti parashikon ndërtimin e 60 kullave në 7 komuna të Qarkut të Fierit. Në komunat dhe fshatrat ku do të ndërhyhet me këtë projekt është punuar prej dy vjetësh për matjen e drejtimit dhe shpejtësisë së erës, ndërsa fundjavën e kaluar kompania italiane “Reuint” si dhe ajo shqiptare “R.E.Qima Albania” sh.p.k kryen prezantimin final të projektit te banorët e zonës. Toka ku do të ndërtohen këto impiante do t’u merret me qira banorëve nga kompania që do të ndërtojë shtyllat.

Kullat e erës do të ndërtohen në Komunat Levan, Frakull, Cakran, Qendër, Ballsh, Kutë e Fratar. Çdo kullë do të ketë fuqi të instaluar 2 megavat dhe i gjithë projekti synon të shtojë kapacitete prodhuese prej 120 MW.

Një nga zonat e përfshira në projekt është Komuna Qendër në Mallakastër. Kryetari i Komunës Qendër, Agron Kapllanaj, është shprehur se: “Nga kompanitë implementuese është zgjedhur fshati Belishovë, i cili ka të gjithë parametrat teknikë për ngritjen e mbi 30 miniturbinave që do të prodhojnë energji me anë të erës”.

“Për këtë projekt është punuar dy vjet në zonën e Belishovës dhe dje, në prezencë të banorëve të komunitetit, ku në truallin e tyre do të ndërtohen centrale për prodhimin e energjisë elektrike me anë të shfrytëzimit të erës, është zhvilluar një takim informues lidhur me impaktin ambiental të investimit”.

Top Channel