Festohet ditëlindja e Imam Aliut në Qabe

22/03/2010 15:30

Qindra besimtarë bektashinj nga i gjithë vendi  kanë kremtuar sot ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

22 marsi, njihet ndryshe edhe si dita e Sulltan Novruzit, që sipas bektashinjve personifikon ditën e ringjalljes së madhe.

Për tre ditë me rradhë të gjithë besimtarët bektashinj, festojnë ditën e lindjes së Imam Aliut dhe kryejnë të gjitha ritet fetare.

Në Shqipëri, Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ajo lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.
Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Top Channel