Kriza, Hysi: PS nuk tërhiqet

21/03/2010 13:25

Grupi parlamentar i Partise Socialiste, i mbledhur të dielën paradite, nuk ka marre një vendim në lidhje me marrëdheniet në të ardhmen të opozites me Kuvendin.

Por, ajo që u bë e qartë nëpërmjet deklaratës pas mbledhjes, ishte mospranimi i vendimit te mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet.

Sipas socialisteve vendimi u mor në shkelje te rregullores së Kuvendit, pasi socialistet deklaruan tërheqjen nga nisma e tyre, për shkak se, sic shprehet opozita, ajo u kufizua në të drejtën e saj për hapjen e kutive të votimit.

“Tirania e kartonave demostron qartë se ky pushtet nuk e dëshiron opozitën në Kuvend, por përkundrazi parapëlqen një farsë parlamentare të diktuar nga vullneti i shumicës së dalë prej korruptimit të zgjedhjeve në Ruzhdiet anembanë Shqipërisë”, thuhet në deklaratën pas mbledhjes së grupit kuvendor të PS-së bërë publike prej deputetes Vasilika Hysi.

Në qendrimin e tyre kundershtues per vendimin e mazhorances, socialistet i bënë thirrje faktorit ndërkombetar të mos e konsiderojne të zgjidhur krizën.

“Grupi Parlamentar Socialist i bën apel pikërisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë në konsideratë faktin shumë shqetësues se zgjidhja që u dha prej pushtetit të premten në darkë jo vetëm nuk e zgjidh po e thellon krizën, por edhe bie ndesh thelbësisht me përpjekjen e tyre për një zgjidhje kompromisi bazuar mbi Kushtetutën dhe transparencën”, vazhdohet më tej në deklaratën e socialistëve.

Ky apel për ndërkombëtarët vjen pas deklaratës së komisionerit për zgjerimin se bojkotet parlamentare nuk kane vend në politikën demokratike dhe se parlamenti është vendi për dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, c’ka lë të kuptohet se socialistët mund t’i japin kohë vetes për konsultime të tjera me faktorin ndërkombetar për ta bindur, vec të tjerash,  se me hapjen e kutive lidhen edhe zgjedhjet e ardhshme.

“Me Kushtetutën e shkelur dhe transparencën e kufizuar me tiraninë e kartonave, mesazhi i pushtetit është shumë i qartë, po edhe qëndrimi ynë është po kaq i qartë: Asnjë hap mbrapa në përpjekjen për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme dhe demokracinë në Shqipëri nga korrupsioni që fillon tek kutitë e votimit dhe shtrihet në të gjitha degët e qeverisjes. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mbrojë kauzën e popullit opozitar për transparencë duke qenë bashkë me popullin në përpjekjen për lirinë e votës dhe të drejtën e transparences”, deklaroi deputetja Hysi.

Pyetjes nëse Partia Socialiste do ta mbrojë këtë kauze edhe në parlament, zonja Hysi nuk iu pergjigj.

Por, pavarësisht kësaj, deri të enjten besohet se Partia Socialiste do të marrë një vendim, nëse do të kthehet apo jo në Kuvendin e Shqipërise.

Top Channel