Aleatët paralajmërojnë protesta

21/03/2010 19:30

Ka përfunduar para pak castesh takimi i aleatëve opozitare therritur prej kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, takim ky që paralajmeroi mbajtjen e protestave popullore, por pa caktuar një datë fikse.

Duket se tashmë opozita ka vendosur jo më protesta për hapjen e kutive, por duke shkuar më tej, në rrëzimin e qeverisë.

Në takim merrnin pjesë Skënder Gjinushi, Spartak Milo, Erion Veliaj, Paskal Milo e Prec Zogaj.

Pas mbledhjes kreu i G99, Erion Veliaj ka paralajmëruar protesta të fuqishme në gjithë vendin, sipas tij më të mëdhatë e mbajtura ndonjëherë në vendin tonë.

Ndersa kreu i partisë Ligj e Drejtësi Spartak Ngjela ka kërkuar ngritjen e popullit për marrjen e situatës në dorë.

“Populli duhet të marrë situatën në dorë. Kjo qeveri është një juntë në pushtet. Komisioni parlamentar hetimor ishte nje turp. PS beri të gjitha përpjekjet e mundëshme për arritjen e një kompromisi, tashmë fjala i kalon protestave”, tha Ngjela pas takimit.

Kurse për kryetarin e PSD-së Skënder Gjinushi në Shqipëri nuk mund të mbahen zgjedhje të lira për sa kohë në pushtet është PD dhe Sali Berisha.

“Jemi në një krizë politike. Në Shqipëri nuk mund të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme me këtë qeveri. Faji mbetet tek Partia Demokratike dhe Sali Berisha dhe tek pazaret e Ilir Metes. Fjala i mbetet popullit për zgjidhjen përfundimtare”, tha Gjinushi.

Asnjë datë mbi nisjen e protestave nuk u dha, por besohet se brenda muajit prill do të zbardhet edhe ky detaj i aleateve opozitare.

Top Channel