Zgjerohet lista e produkteve me akcizë

20/03/2010 08:30

Duke i konsideruar si lëndë që ndotin ambientin, Ministria e Financave ka propozuar këto ditë me anë të një drafti futjen në listën e produkteve me akcizë disa lëndë të para.

Reagimi i parë i biznesit është te kostoja, ndërsa rrezikohet konkurrueshmëria me vendet e tjera, të cilat nuk e kanë këtë lloj takse.

Ndryshimet në projektligjin “Për akcizat” pritet të miratohet shumë shpejt në Këshillin e Ministrave, por më parë drafti duhet të diskutohet në Mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit.

Ajo që propozohet është futja me akcizë e produkteve si plastik, qelq, karton dhe letër, pra ambalazhet e këtyre llojeve.

Po ashtu, produkte të tjera si goma për mjetet e transportit, ambalazhe të tjera të përziera, si dhe pjesë elektrike e fishekzjarrë do të jenë pjesë e taksës me akcizë.

Një tjetër masë që pritet të miratohet, është dënimi administrativ për rastet e konstatimit të mallit pa pullë fiskale.

Top Channel