Rebelimi i komandove, shkarkohen 29 oficerë

20/03/2010 15:35

29 nënoficerë të regjimentit komando, që kanë shërbyer me mision paqeruajtes në Afganistan, janë liruar nga ushtria me motivacionin ulje të dinjitetit ushtarak në misione jashtë atdheut dhe rebelim kundër institucionit.

Lajmi konfirmohet nga burime te besueshme te Ministrise se Mbrojtjes dhe nje pjese te ish-ushtareve pjesëmarrës në misionin e fundit në Afganistan. Me të njëjtin motivacion, shtate oficere komandues të këtij misioni sapo janë kthyer në Shqipëri, janë ulur në grada dhe transferuar në reparte të tjera dytësore pjesa më e madhe e tyre jashtë Tiranës. Madje kesaj kompanie nuk i është ofruar as edhe pritje zyrtare me rastin e mbërritjes në atdhe.

Burime prane Ministrisë se Mbrojtjes thanë për Top Channel se ndëshkimi i tyre, ka ardhur pasi ushtarakëve u ndalohet rebelimi ne grup, sikurse këta kanë vepruar gjatë kohës që ndodheshin me mision paqeruajtës. Në realitet nuk bëhet fjalë për ndonjë rebelim të armatosur brenda strukturave të ushtrisë, por për kundërshtime të pages që u është dhënë e qe sipas ushtarakëve nuk ishte e barabartë me atë qe u ishte premtuar kur ishin nisur nga Shqipëria.

Ne kontratat e firmosura me Ministrinë e Mbrojtjes, komandot do të paguheshin 60 dollarë në ditë pa tatime. por një vendim i qeverisë shqiptare për tatimin me 10 përqind të pagave ka mberritur deri edhe ne Afganistanin e largët, duke reduktuar pagesen e ushtarakeve shqiptarë në 54 dollarë në ditë.

Ushtarakët e kanë kundërshtuar tatimin e pagës së tyre, duke kërkuar respektimin e kontratës së firmosur në Tiranë, duke refuzuar të dalin edhe në mision. Rebelimi i ushtarëve shqiptarë, mësohet të ketë mbërritur deri në zyrën e kryeministrit Berisha, nga zyra e të cilit është propozuar rritja e pagesës për periudhën deri në përfundim të misionit.

Ata e kanë vazhduar misionin mes kundërshtive, kërkesave dhe refuzimit të herëpashershëm të kryerjes së shërbimit dhe sapo kanë mbërritur në Shqipëri janë ndëshkuar me masa disiplinore

Top Channel