OSBE/ODIHR: Presion ndaj administratës

20/03/2010 08:25

Në raportin final të monitorimit të zgjedhjeve të 28 qershorit nga OSBE/ODIHR-i thuhet se u morën akuza nga shumica e qarqeve, për presion mbi punonjësit e sektorit publik, duke përfshirë kërcënime për largim nga puna, për të marrë pjesë në veprimtari të fushatës së PD-së, ose për të mos shkuar në veprimtari të opozitës.

“Këto veprime bien në kundërshtim me paragrafin 7.7 të dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së. OSBE/ODIHR-i ndoqi këto akuza dhe vërtetoi shumë prej tyre. Për shembull: Punonjësve të bashkive u kërkohej nga eprorët të merrnin pjesë në takimet e PD-së në Peqin (Qarku Elbasan) dhe Shkodër”, thuhet në raport.

“Ndërkohë, në një shkollë në Qarkun e Tiranës, drejtori kërcënoi mësuesit me largim nga detyra nëse nuk votonin për PD-në. Ai u kërkoi të fotografonin fletët e votimit për të provuar votën e tyre. Në Qarkun e Fierit, një punonjës i sektorit publik që mori pjesë në një aktivitet me një zyrtar të lartë të PS-së, u kërcënua me shkarkim nga detyra”, thuhet më tej në dokument.

Në këtë të fundit jepet edhe rasti i një punonjësi të sektorit publik në Kavajë (Qarku Tiranë) që u paralajmërua se mund t’i rrezikohej vendi i punës nëse përfshihej shumë hapur me Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

Top Channel