Nënë e bijë vdiqën prej rrjedhjes së gazit

20/03/2010 14:20

Bombulat e pasigurta të gazit që tregtohen në vend kanë marrë jetën e një gruaje të moshuar dhe së bijës invalide.(UPDATE)

Nënë e bijë, Sabrie dhe Zenepe Kabashi me banim në lagjen e Kabashëve të fshatit Rrashbull në Durrës janë gjetur mëngjesin e sotëm të vdekura nga nusja e shtëpisë e cila ka shkuar për t’u kryer shërbimet e mëngjesit.

Nënë e bijë jetonin në një shtëpi me djalin e martuar dhe nga hetimet rezulton se soba e ngrohjes me gaz edhe pas mbylljes ka pasur rrjedhje gjë që ka ccuar në asfiksimin e dy grave. Gazi ka rrjedhur gjatë të gjithë natës së kaluar në dhomën ku flinin nënë e bijë, pa mundësi ajrosjeje pasi dritarja ka qenë e mbyllur.

Dhembja për humbjen e pazakontë ka mbështjellë të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimave, ndërsa trupat i janë nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore nga e cila është përcaktuar dhe shkaku i vdekjes.

Top Channel