Ruci bën apelin e fundit: Pranoni nismat tona

19/03/2010 20:35

Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci i bëri apel kryeministrit Sali Berisha që të mos mbajë peng kutitë e votimit dhe të bejë transparencë për zgjedhjet e 28 qershorit.

“Ne erdhëm në kuvend për kompromis, por u gjendëm përballë demagogjisë e mashtrimit. Nuk morëm asnjë ofertë nga mazhoranca. Ne emër të Partisë Socialiste ju bëj apel që të gjeni forcë dhe kurajo për të dhënë mirekuptimin dhe vullnetin për të votuar nismat tona. Nëse nuk tregoheni të gatshëm ne do t’i tërheqim nismat tona dhe përgjegjesia mbetet mbi ju”, u shpreh Ruci, duke lënë të kuptohet se pas mosaprovimit te  propozimeve te socialisteve, opozita do të bëhet gati për protesta mbarëpopullore.

Ruci, në fjalën e tij në seancën plenare i bëri Berishës një tjetër sfidë, duke i shprehur gatishmërinë të lërë imunitetin për t’u hetuar për kartat që paraqiti në kuvend, si provë për manipulimet në zgjedhjet e vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë Ruci ftoi kryeministrin që të shkojë para drejtësisë për t’u përballur me një prej shumë akuzave që opozita ka për të për ngjarje të viteve të fundit.

Kreu i deputetëve socialistë theksoi se nuk ka asnjë pengesë juridike që të hetohet se cfarë ndodhi në 28 qershor, por barrierë mbetet qëndrimi refraktar i Berishës, i cili i trembet transparencës, së vërtetës dhe dritës që duhet të hidhet në kutitë e votimit.

Top Channel