Propozohet heqja e akcizës për kafenë

19/03/2010 09:00

Ministria e Financave mendon të heqë taksën e akcizës për kafenë, duke iu përafruar nivelit të Bashkimit Europian, vendet e së cilit nuk e aplikojnë.

Aktualisht norma e taksës është 70 lekë për kilogram dhe propozohet të bëhet zero, vetëm për llojin “kafe jo e pjekur e dekafeinizuar ose jo”.

“Ky propozim bëhet në kuadër të përafrimit të listës së mallrave të akcizueshme në Shqipëri me vendet e BE-së dhe të rajonit”, sqaron Ministria e Financave në relacionin që shoqëron projektligjin.

Aktualisht norma e kësaj takse aplikohet vetëm nga Kosova, ndërsa vendet e rajonit e kanë hequr nga përdorimi.

Tjetër masë në projektligjin e ri është vendosja me akcizë e produkteve si karton, letër, qelq apo goma të reja ose të përdorura.

Vendosja e akcizës për to do të ndikojë në koston e produktit final, kryesisht te fasonët, të cilët nuk po përjetojnë një situatë të favorshme.

Reagimi i parë i tyre lidhet me lëndën e parë, kartonin (për këpucët), i cili do të ketë akcizë 5 lekë për kilogram.

Sipas fasonëve, taksa e re do të favorizojë tregtarët e huaj dhe jo vendas, pasi malli i tyre mund të blihet jashtë më lirë, pa taksa doganore.

Top Channel