FMN: Qeveria të shkurtojë sërish shpenzimet

19/03/2010 08:50

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka sugjeruar qeverisë shqiptare të kryejë shkurtime të mëtejshme në programin e shpenzimeve buxhetore të këtij viti.

Sipas Fondit, kjo është rruga e vetme për të përmbajtur deficitin buxhetor në një nivel të pranueshëm dhe për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të stokut të borxhit publik, bëhet e ditur nga burime jozyrtare prej qeverisë.

Qeveria, nga ana e saj, nuk lejon publikimin e raporteve të përgatitura nga FMN-ja dhe që kanë lidhje me Shqipërinë, një e drejtë që i takon në bazë të marrëveshjes së anëtarësimit te Fondi.

FMN-ja e përshëndeti planin e qeverisë për të “ngrirë” 30 miliardë lekë shpenzime nga programi i këtij viti, shifër kjo e barabartë me 2.5 për qind të PBB-së.

Por Fondi paralajmëroi se një ulje kaq e vogël e shpenzimeve do të sjellë deficit buxhetor dy herë më të lartë nga sa ishte premtuar prej qeverisë në fillim të vitit.

Top Channel