“Viktimat e komunizmit”, Topi dekreton ligjin

19/03/2010 08:20

Presidenti Bamir Topi dekretoi dje ligjin e ardhur nga qeveria “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”, i cili shpall 20 Shkurtin si ditën e “Përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri”.

Kreu i shtetit vendosi ta dekretonte këtë ligj, ndonëse kërkesës së 45 institucioneve shtetërore, komuniteteve fetare, OJQ-ve dhe sindikatave që kërkonin një emër tjetër për të përkujtuar 20 shkurtin e vitit 1991, ditë në të cilën në Tiranë u rrëzua edhe busti i diktatorit.

Me anë të një kërkese të përbashkët, këto 45 bashkësi të prezantuara nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, kërkonin që ligji për simbolet e komunizmit të amendohej.

Sipas tyre, 20 shkurti duhet të shpallet festë zyrtare dhe të quhet Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist.

“Kërkojmë që ky projektligj të rishqyrtohet përsëri nga organet përkatëse shtetërore, duke marrë parasysh kërkesat e popullit tonë, që ishte protagonisti kryesor i kësaj dite i udhëhequr nga sindikatat e pavarura dhe shtresa e ish të përndjekurve politikë dhe jo nga parti politike”, theksohet në kërkesën e tyre.

Top Channel