Tiranë, rikonstruktohet Kulla e Sahatit

18/03/2010 23:25

Ka përfunduar restaurimi i Kullës së Sahatit, një nga monumentet simbolike të kryeqytetit, ndërtimi i të cilës i përket vitit 1821.

Rregullimi i mekanizmit të Sahatit dhe të Këmbanës, që nuk punonte prej disa vitesh si dhe i pjesës tjetër në objektin historik, u bë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, kontributin e Fuat Haxhiymerit, si dhe nga granti prej 30 mijë dollarësh të akorduar nga fondi i ambasadorit për ruajtjen e pasurisë kulturore.

“Më kanë thënë që nëse ofrohet si dhuratë një orë në rastin e lindjes së një foshnjeje në një familje shqiptare ose në rastin e hyrjes në një apartament të ri, atëhere kjo orë do t’u sjellë atyre fat dhe mirëqenie. Shpresoj që kjo kullë sahati e ndrequr rishtazi do të mund t’i sjellë  qytetit të Tiranës dhe shqiptarëve të njejtën gjë”, deklaroi ambasadori amerikan John Uidhers.

Kryebashkiaku Edi Rama  theksoi se ky moment është simbolikisht i rëndësishëm për një qytet i cili ecën me kohën dhe tani ka dhe orën për ta matur kohën ashtu sic duhet.

“Sot ky restaurim që i rikthen Kullës së Sahatit shkëlqimin e saj të parë përmes kontributit të përbashkët të një sërë njerëzish dhe institucionesh është një moment sa simbolik aq edhe moment i këndshëm, edhe për faktin se më në fund pas shume vitesh ora në Kullen e Sahatit do të tregojë orën dhe për më tepër bashkë me tregimin e orës shpresojmë se edhe kembana e orës do bjerë sipas programimit që ajo ka patur njëhere e një kohë”, tha gjate fjales se tij kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Top Channel