PS: Sot, shansi i fundit për zgjidhje

18/03/2010 12:45

Partia Socialiste i bën thirrje kryeministrit Sali Berisha që në seancën e sotme parlamentare të reflektojë dhe të mos behet pengesë për arritjen e një zgjidhjeje institucionale të krizës.

Me anë një të deklarate për mediat deputeti Blendi Klosi theksoi se “kur na ndajnë veçse pak orë nga seanca plenare dhe një ditë nga vizita e komisionerit për zgjerim të BE, të gjithë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar presin që klasa politike shqiptare të tregojë pjekuri e përgjegjshmëri”.

“Në seancën e sotme zoti Berisha ka mundësinë t’u tregojë shqiptarëve e botës mbarë sesa i përkushtuar është ndaj integrimit e respektimit të standardeve demokratike e ligjore në Shqipëri.
Dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke lejuar një hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, jo për efekt mandatesh, por për efekt të transparencës dhe parandalimit të zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e Klosit.

Partia Socialiste nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj dhe thekson se nëse nuk do t’i jepet zgjidhje situatës, atëherë vendi do të përfshihet nga protestat deri në rrëzimin e qeverisë.

Top Channel