Gjiknuri: 100 prokurorët, propozim qesharak

18/03/2010 22:05

Deputeti socialist Damian Gjiknuri e ka cilësuar si “qesharak” propozimin e kryeministrit Berisha për ngritjen e një grupi të posacëm prokurorësh për të hetuar zgjedhjet.

Në një prononcim për Top Channel, Gjiknuri është shprehur se respektimi i Kushtetutës është vetëm një pretekst që shfrytëzohet nga mazhoranca.

“Është interesant fakti që sot pretendohet për respektim te Kushtetutes, kur sajohen argumente juridike që të krijohet nje prokurori e posacme. Provat që kërkojmë ne nuk janë shqyrtuar nga prokuroria dhe gjykata. Tani, këta që respektojnë Kushtetutën thonë: të krijojmë 100 prokurorë për të hetuar atë qe s’i japim opozitës. Ky propozim është qesharak. Qeveria ose e ka futur ne xhep prokurorinë, ose do ta mbyllë këtë cështje ashtu sic ka mbyllur edhe te tjerat”, ka pohuar Gjiknuri.

Ai ka shtuar më tej se PS me qëndrimin e saj kërkon vetëm të korrigjojë defektët e regjistruara në këto zgjedhje për t’i shmangur ato në të ardhmen dhe ka saktësuar se kërkesat e saj nuk janë anti-kushtetuese.

“Ne iu thamë deputetëve të PD, hajdeni të shohim listat e zgjedhësve, hajdeni t’i administrojmë për qëllime hetimore, disa kuti, jo nje numer te caktuar, për të goditur fenomenin negativ”, ka shtuar Gjiknuri.

Top Channel