Agjencitë e këmbimit “refuzojnë” kuotën 140

18/03/2010 08:45

Monedha e përbashkët europiane, euro, fitoi 24 qindarka dje kundrejt lekut, duke shënuar një rekord të ri shumëvjeçar, por shumica e agjencive të këmbimit valutor refuzuan të shkojnë përtej kuotës psikologjike prej 140 lekësh për euro, duke “sakrifikuar” në disa raste edhe fitimet e veta.

Euro kushtoi dje 139.73 lekë, sipas kursit mesatar fiks që publikohet nga Banka e Shqipërisë në mesditë.

Në tregun ndërbankar, ku valuta shkëmbehet në sasi të mëdha dhe kursi monitorohet nga agjencitë ndërkombëtare të informacionit, euro u këmbye për shumë orë mbi kuotën 140, por u tërhoq pasdreke rreth kuotës 139.3 lekë.

Agjencitë e këmbimit valutor, të cilat zakonisht ruajnë kurse shitblerjeje në hapësirën plus minus 0.5 lekë për euro nga kursi referencë i Bankës së Shqipërisë, e ulën dje diferencën nga kuota e shitjes te kuota mesatare në plus 0.2-0.3 lekë.

Në fund, edhe dje, shumica dërrmuese e shqiptarëve e patën të mundshme të blejnë euro në treg me 140 lekë apo më pak.

Shumica dërrmuese e operatorëve të tregut duket se nuk e parapëlqejnë zhvlerësimin e mëtejshëm të lekut, megjithatë, sipas ekspertëve presioni mbi monedhën shqiptare pritet të vazhdojë edhe për së paku disa javë.

Disa ekspertë bankarë shpresojnë se Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë verbalisht ose do të shesë valutë nga rezerva e vet për të mbrojtur vlerën e lekut.

Por fatin e monedhës shqiptare pritet ta përcaktojë qeveria. Në rast se deficiti buxhetor i qeverisë nuk përmbahet dhe borxhi publik vijon të rritet, atëherë ka një probabilitet të lartë që leku të zhvlerësohet më tej.

Kuota prej 140 lekësh për euro konsiderohet si “psikologjikisht e rëndësishme” për ekspertët, pasi kapërcimi i kësaj kuote mund ta bëjë normale zhvlerësimin e mëtejshëm.

Top Channel