Vizat, Parlamenti Europian zbarkon në Tiranë

17/03/2010 15:45

Një përfaqësi e Parlamentit Europian kryesuar nga Eduard Kukan, shefi i Delegacionit për Ballkanin do të zbresë në Tiranë të dielën për të parë nga afër sesi i ka plotësuar Shqipëria kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave.

“Koha është është shumë e rëndësishme ndaj po shkojme dhe kaq shpejt pa lajmëruar ne Shqipëri, sepse liberalizimi i vizave do të kishte kuptim nëse do realizohej përpara pushimeve te verës, në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshem. Po aq i rëndësishëm është fakti që janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive ndaj presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi te bejme me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet ju po i plotësoni ato dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur me”, u shpreh Kukan.

Por, nëse vlerësimet e ekspertëve për Shqipërine pritet të jenë pozitive atëhere problemi qendron tek BE. Për këtë arsye, i pyetur pse viziton Tiranën në këtë rast e jo Komisionin, Kukan pergjigjet. ”Përpara se të shkojmë te Komisioni, ne duam të shohim vetë situatën në vend, të flasim me personat pergjegjës, do vizitojmë gjithashtu gjate qëndrimit tonë atje, disa qendra kontrolli për cështjet teknike, ne mënyrë që të kemi keshtu me shume peshë para Komisionit, prandaj”, theksoi Kukan.

Kryesuesi i Delegacionit Kukan tregoi se fluksi i azilkërkuesve maqedonas e serb në Europë ka ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë.

“Fakti që mediat raportuan cështjen e azilkërkuesve nuk po e ndihmon situatën, përkundrazi, po u jep argumente atyre që nuk kane qëndrim te qartë pro heqjes së regjimit të vizave”, u shpreh Kukan.

Në përbërje të delegacionit do të jenë deputetët Jelko Kacin, Simon Busuttil nga Malta, hollandezja Marije Cornalissen si dhe raportuesja e Parlamentit per liberalizimin e vizave Tanja Fajon. Vizita konsiderohet private per Parlamentin Europian edhe pse me ftese zyrtare te autoriteteve shqiptare.

Eurodeputetët do te takojnë kreun e shtetit Bamir Topi, Kryeministrin Berisha, Ministrin e Jashtem, atë të Punëve të Brendshme si dhe do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-së.
 

Top Channel