Suedia, mbështetje për vizat

17/03/2010 20:15

Kryetari i Parlamentit suedez, Per Westerberg, i konfirmoi homologes shqiptare, Jozefina Topalli, mbeshtetjen e Suedise për marrjen e një vendimi të shpejtë për liberalizimin e vizave.

Gjatë bisedës me zonjën Topalli, e cila ndodhet ne Stokholm peë një vizitë zyrtare, u prek edhe situata politike në vend.

Sipas njoftimit të Kuvendit, kryetari i Parlamentit suedez tha se Shqipëria realizoi zgjedhje shumë të mira dhe sipas tij, kur njihen rezultatet, Parlamenti fillon punën për të trajtuar çështjet e qytetarëve dhe nuk i takon atij të trajtojë çështje që tashmë kanë marrë gjykimin nga drejtësia.

Cështjen e vizave dhe të zgjedhjeve, zonja Topalli e diskutoi edhe me kryetarin e komisionit të jashtëm të Parlamentit të Suedise, si dhe me kryetaren e delegacionit suedez në OSBE.

“Parlament i Suedisë është angazhuar fort për liberalizimin e vizave. Ne mendojmë se deputetët e Partisë Socialiste duhet të zënë vendet e tyre në Parlament dhe të bëjnë opozitë konstruktive. Mendoj se Qeveria ka ofruar që të hapë gjithçka, por jo ato që janë detyre kushtetuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sistemit gjyqësor. Mendoj se Kushtetuta e vendit duhet respektuar”, ka deklaruar Lennmarker.

Të njëjtin mesazh ka dhënë edhe Habsburg, i cili ka theksuar se bojkoti nuk është kurrë zgjidhje për një problem.

“Mendoj se është për të ardhur keq sepse ka pasur shumë vëzhgues të zgjedhjeve nga OSBE dhe nga Këshilli i Europës dhe unë vërtet shpresoj që  situata të ndryshojë dhe të marrë fund, sepse bojkoti nuk është kurrë zgjidhje për një problem. Për sa kohë që punohet për procedurat e Kodit, gjithçka është në rregull, por zgjedhjet nuk mund të diskutohen dhe unë shpresoj që opozita do ta kuptojë këtë”, eshte shprehur ai.

Gjatë seancës degjimore me komisionin e jashtëm suedez, kryetarja e Parlamentit mori vlerësimin për reformat e ndërmarra nga Shqipëria per të përshpejtuar procesin integrues të vendit.

Top Channel